Me sukses u realizua ngjarja “Njihu me Fondin për Sigurimin e Depozitave” dedikuar të rinjve
Shkup, 26 mars 2026 – Në një atmosferë dinamike dhe interaktive, sot në ambientet e “Public Room” në Shkup u mbajt ngjarja edukative “Njihu me Fondin për Sigurimin e Depozitave”, e organizuar nga Fondi për Sigurimin e Depozitave (FSD). Kjo ngjarje ishte e dedikuar për të rinjtë e moshës 18 deri në 22 vjeç, me synim njohja e rolit dhe funksionit të Fondit tek gjeneratat e reja, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e sigurimit të depozitave.
Ngjarja mblodhi një numër të konsiderueshëm të rinjsh, të cilët përmes prezantimeve të qarta dhe përmbajtësore u njohën me rolin dhe kompetencat e FSD-së, mënyrën e menaxhimit të mjeteve, analizën e të dhënave mbi qytetarët e dëmshpërblyer, si dhe me këshilla praktike për shpërndarjen e kursimeve në banka dhe kursimore të ndryshme. Një theks i veçantë iu kushtua shembujve konkretë nga praktika, duke u ofruar pjesëmarrësve një pasqyrë reale mbi funksionimin e sistemit të mbrojtjes së depozitave.
Programi filloi me një fjalë hyrëse nga moderatori, ndërsa të pranishmit u përshëndetën edhe nga drejtori i Fondit. Më tej, ekipet profesionale të FSD-së prezantuan në mënyrë të strukturuar funksionimin e institucionit, pragun e dëmshpërblimit, masat për rritjen e efikasitetit, si dhe aktivitetet promovuese. Interesimi i pjesëmarrësve u reflektua përmes pyetjeve dhe diskutimeve aktive, duke krijuar një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të frytshëm me ekspertët.
Në kuadër të ngjarjes ishte vendosur edhe një stendë promovuese me materiale informative në gjuhën maqedonase dhe shqipe, përmes të cilave u prezantuan informacionet kyçe mbi Fondin, si dhe rëndësia e kursimit të sigurt.
Pas pjesës zyrtare, aktiviteti vazhdoi në një atmosferë më të relaksuar dhe joformale, ku të rinjtë patën mundësi , të shkëmbejnë ide dhe të thellojnë diskutimet mbi temat e trajtuara.
Përmes kësaj ngjarje, Fondi për Sigurimin e Depozitave rikonfirmon angazhimin e tij të vazhdueshëm për edukimin financiar të të rinjve dhe për forcimin e besimit në stabilitetin dhe sigurinë e sistemit bankar.













